Rakip Shabani sjell “Tirana urbane grafike”, në ditën e çlirimit të kryeqytetit

Rakip Shabani sjell “Tirana urbane grafike”, në ditën e çlirimit të kryeqytetit

…Tirana u çlirua… Këto kanë qenë fjalët e para që Radiostacioni i vetëm shqiptar ka thënë më 17 nëntor të vitin 1944. Më pas është transmetuar Himni i Flamurit Kombëtar. 73 vite më pas në përkujtim të kësaj ngjarjeje, piktori Rakip Shabani hapi në Muzeun Historik Kombëtar ekspozitën me titull “Tirana urbane grafike”.
Tirana ashtu siç ka qenë, me rrugicat karakteristike, shtëpitë me qerpiç e veshjet popullore aq të veçanta. Kjo është qasja në ekspozitën e Rakip Shabanit në përmbajtjen e së cilës janë përfshirë 33 punë në grafikë për Tiranën e para viteve ’40. Në këto punime paraqiten vendet arkitektonike dhe turistike të qytetit të Tiranës, si Ura e Tabakëve, Ura e Brarit, pazari etj.
Në çeljen e kësaj ekspozite merrnin pjesë shumë personalitete të jetës kulturore në vend. Ishin të pranishëm, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, piktori Abaz Hado, kryetari i Këshillit të Qarkut Tiranë, Aldrin Dalipi, kompozitori i njohur Limoz Dizdari, piktori Kujtim Buza, etj.
Gjatë prezantimit të kësaj ekspozite, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi tha se ky aktivitet zhvillohej në një ditë të veçantë për kryeqytetin shqiptar duke iu bashkangjitur në këtë mënyrë gjithë serisë së aktiviteteve të tjera nisur që në mëngjesin e 17 nëntorit, ditës së çlirimit nga pushtuesit nazi-fashistë. Dr. Dorian Koçi tha gjithashtu se në punimet grafike të Rakip Shabanit ndihet atmosfera e qytetit të vjetër gjë që shërben edhe për brezat e rinj, pasi kanë parë në ditët e sotme Tiranën e ndryshuar shumë.
Përshëndetën gjithashtu çeljen e kësaj ekspozite dhe Abaz Hado, Aldrin Dalipi e Kujtim Buza. Në fund do t’i jepej fjala dhe autorit të ekspozitës, Rakip Shabani i cili tha: “Unë sot ja më llafazani nga të gjithë…” dhe tregoi punimet e tij varur në hollin qendror të Muzeut Historik Kombëtar, duke dhënë të nënkuptohej se ai fliste me punimet e tij dhe të kuptohej gjithashtu që prej ati çasti ekspozita quhej e hapur për të pranishmit.

Share this post

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *